Veprimtari e pergjithshme
26 Qershor, 2016
MESAZH NGUSHËLLIMI DHE SOLIDARITETI ME POPULLIN TURK
29 Qershor, 2016

Që në hapat e para të krijimit QBNFE ka kryer dhe vazhdon një sërë aktivitetesh në dobi të bashkësive tona nën frymën e njohjes dhe dialogut të ndërsjelltë në respekt të vlerave individuale dhe kolektive të gjithsecilit. Me këtë qëllim, herë pas here, organizon një sërë panelesh televizive dhe radiofonike për emancipimin e komuniteteve në lidhje me këndvështrimin fetar. Takime të ndryshme me përfaqësues të të gjithë përkatësive fetare duke shtjelluar tema që lidhen pikërisht me këtë përqasje dhe këndvështrim me moton “besimi ndihmon atë që e mbart këtë virtyt dhe e bën të dobishëm për vete dhe të tjerët”.

Gjatë këtyre viteve QBNFE  ka zhvilluar lloje të ndryshme kursesh kualifikimi profesional si edhe aktivitete kulturore e sportive ku marrin pjesë fëmijë, të rinj e të reja, të rritur e të moshuar, përfaqësues nga të katër bashkësitë fetare, duke ndjekur së bashku e duke u afruar më shumë e njohur më së miri njëri-tjetrin.

Për herë të parë në historinë e arsimit shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan  u arrit të organizohet  një Simpozium i rëndësishëm mbi harmoninë fetare në katedrën e histori-filologjisë së këtij universiteti ku pedagogë, studiues e teologë shpërfaqën vlerat e bashkëjetesës paqësore të besimeve në trevën e Elbasanit, e më gjërë.

Gjithë këto veprimtari sollën edhe njohjen më të mirë të vlerave edhe për vetë ne, drejtuesit fetarë, gjë që solli hap pas hapi rritjen e komunikimit mes nesh dhe përforcimin e marrdhënieve tona në dobi të shoqërisë së Qarkut tonë e më gjërë.

Vlerat e dialogut dhe bashkëpunimit tonë ndërfetar ne i kemi promovuar edhe jashtë  Shqipërisë si p.sh në viset shqiptare në mal të zi apo edhe në Italinë fqinje ku kemi bërë një tur promocional të vlerave tona në disa qendra kryesore të Kalabrisë dhe Sicilisë ku preludi i këtij ishte një takim përmbyllës në Palermo në prani të mijëra besimtarëve dhe kombësive të ndryshme.

Gjithashtu një nga veprimtaritë më të rëndësishme e tepër të dukshme të bashkëpunimit tonë është edhe “Marshimi i Paqes” që ne kemi themeluar e zhvillojmë çdo fillimviti së bashku me aktorë të tjerë të shoqërisë si me drejtorinë arsimore, pushtetin lokal dhe organizatat jofitimprurëse duke dëshmuar se jemi që të gjithë instrumenta në dorë të Zotit për të përmbushur misionin e tij në tokë për të lehtësuar e ndihmuar jetën e gjithë shoqërisë në paqe e harmoni vllazërore, gjë që na mativon e shtyn çdo ditë që të angazhohemi gjithnjë e më shumë për të përfshirë gjithnjë e më tepër aktorë të tjerë për të forcuar këtë pasuri të përbashkët.