Roli i Myftinise Elbasan kunder ekstremizmit te dhunshem

SË BASHKU KUNDËR EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM
13 Tetor, 2016
Dialogu ndërfetar si një vlerë e shtuar në luften kundër Ekstremizmit të dhunshëm
14 Tetor, 2016

Roli i Myftinise Elbasan kunder ekstremizmit te dhunshem

Kumtesa e Presidentit te QBNFE Dr. Arben Ramkaj

“Roli i Myftinise Elbasan kunder eksyremizmit te dhunshem”.

Te nderuar shkelqesi ambasadorë, autoritete fetare, te qeverise e pushtetit vendor, bashke me ju besimtare e veprimtare te pranishem.
Ekstremizmi i dhunshëm është një virus që po përparon me shpejtësi në botë si dhe po shfaqet si një kërcënim edhe në vendin tonë dhe ne duhet të përballemi me të. Kjo kërkon një qasje të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse me qëllim eleminimin e tij. Ne vazhdojmë të konsiderojmë se ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të përbëjë rrezik për sigurinë e vendit tonë.
Për këtë arsye në qytetin e Elbasanit, por edhe më gjerë kemi marrë disa masa paraprake për të parandaluar këtë fenomen, me të cilin sot po sfidohet bashkësia myslimane shqiptare, por jo vetëm. Fillimisht fenomeni i ekstremizmit luftohet nga vet argumentet burimorë të fesë islame.
Profeti Muhamed (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të) ka thënë: Kini kujdes nga ekstremizmi në fe, sepse popujt që janë shkatërruar para jush, janë shkatërruar për shkak të teprimit të skajshëm të interpretimit të teksteve fetare.
Myftinia Elbasan ka marr disa masa për parandalimin e ekstremizmave, të cilat konsistojnë në:
Rikthimin e autoritetit fetar tek myslimanët (sidomos tek besimtarët devijantë).
Ne në Elbasan kemi ngritur një Këshill Lokal Teologjik të imamëve, i cili është referenca më e madhe teologjike në qytetin e Elbasanit. Nëpërmjet këtij këshilli unifikojmë ligjëratat, kontrollojmë metodën e mësimdhënies, e cila është shumë e rëndësishme në formimin e besimtarëve të rinj, sidomos djemve dhe vajzave të reja.
Ky këshill parandalon dhe vendos programe mbi imamët të ndarë në katër zona kryesore
1 -zona e Belshit,
2-zona e Cërrikut,
3 –zona e Elbasanit deri në Librazhd dhe
4 zona e Peqinit.
Në rast të evidentimit të besimtarëve, të cilët kanë prirje për t’u infektuar nga virusi i ekstremizmit të dhunshëm, që mund të cënojë sigurinë, ne mundohemi të gjejmë çdo lloj mënyre, për t’i rikthyer me rrugën e drejtë teologjike, pëkundrejt asaj që ata kanë marrë nga imamë të huaj nëpërmjet rrjeteve sociale, të cilët indoktrinojnë këta të rinj në dogmë të gabuar.
Të nderuar pjesëmarrës, roli i imamëve tanë nuk ka qenë vetëm në qasjen klerikale, por duke synuar të jemi model dhe shembull i mirë për popujt e qytetëruar, jemi munduar të krijojmë partneritete konkrete me tërë bashkësitë e qytetit, por dhe institucionet vendore, shoqërinë civile, në funksion të së mirës së përbashkët, transparencës së bashkësisë dhe konsolidimit e bashkëjetesës fetare, të cilën na e trashëguan të parët tanë.
Në fillimet tona kur krijuan qendrën ndërfetare patëm kundërshti nga praktikantët e rinj të cilët edukimin e tyre të parë e kishin marrë nga misionarë të ardhur nga vendet e Afrikës Veriore dhe Turqisë, ku përveç mësimeve fetare, pa e kuptuar imponuan edhe kulturën e tyre.
Qëndrimi ynë si klerikë për ta ishte i pakuptimtë, i ndaluar dhe i dëmshëm, megjithatë ne nuk u ndalëm, nxisnim gjithmonë rritjen e autoritetit të klerit vendas, respektimin e tij, nxitjen ekonomike, që ta ushtronin sa më mirë detyrën, trajnime të herëpashershme, pjesëmarrjen e tyre nëpër aktivitete sociale dhe kulturore. Dhe pas 8 vjetësh punë intensive, ne arritëm të merrnim frytet e para të ndryshimit rrënjësor të mentaliteve të besimtarëve dhe të brezave që vinin më pas.
Me këtë që po ju them nuk po mundohem t’ju tregoj se Elbasani apo qyteti ku ne punojmë dhe qarku ku ne jetojmë, nuk është prekur nga virusi i ekstremizmit të dhunshëm. Ai është prekur si shumë qytete të tjera të Shqipërisë dhe më gjerë, siç e thashë më sipër, virusi është global. Por përplasjet tona me këta djem apo vajza të infektuara kanë qenë të vazhdueshme dhe sistematike, kjo për të mirën e tyre dhe të bashkësisë ku ne jetojmë.
Për këtë arsye, për ata që kanë ikur apo kanë patur dëshirë të ikin në konfliktin e Sirisë, kemi qenë të qartë që në fillimet e konfliktit të vitit 2013. Mendimi i teologëve tanë ka qenë se konflikti në Siri është një luftë civile midis sirianëve, siç kemi qenë të qartë se çdo konflikt jashtë autoritetit shqiptar është një konflikt i cili pjesëmarrja në të është e ndaluar fetarisht, për shkak të shkeljeve të parimeve dhe udhëzimeve fetare, siç janë detyra e të qenit qytetar në vendit tënd apo kontrata e përbashkët sociale e vendit ku bashkëjetojmë.
Për këtë arsye ndoshta jemi i vetmi rast brenda Bashkësisë Myslimane Shqiptare në Ballkan, që kemi lansuar një faqe interneti të veçante, Gazeta Mendimi, për informimin e besimtarëve të rinj shqiptarë për problemet e Lindjes së Mesme nëpërmjet analizave të njëpasnjëshme të analistëve europianë apo dijetarëve islamë, ku pothuajse çdo ditë ka një artikull ku shkruhet dhe qartësohet devijimi i metodologjisë së Isis. Gjithashtu radio më e madhe fetare islame në vendin tonë, radio Albania FM luan një rol të rëndësishëm në qartësimin e të rinjve rreth dëmeve që sjell ekstremizmi i dhunshëm.
Një rol të rëndësishëm i akordohet gruas, ku Qendra e Gruas për Zhvillim dhe Kulturë përfshin kontributin e zonjave në një sërë seminaresh të mbajtura në Elbasan, Librazhd dhe më gjerë ku përcaktohet se roli i nënës është efikas nën vëzhgimin e fëmijës së tyre, nëse ai shfaq qëndrime të dhunshme apo është i distancuar dhe qëndron gjatë gjithë kohën online.
Bashkësia jonë ka gjetur edhe mbështetjen e partnerëve lokalë, ku në qytetin tonë tashmë nuk përbën lajm punësimi i një vajze me shami apo shkollimi i saj, element shumë i rëndësishëm në integrimin e bashkësisë dhe në luftën kundër islamofobisë. Elemente këto që nëse ndodhin e izolojnë bashkësinë dhe bëhen shtytje për radikalizmin e skajshëm të besimtarëve të rinj dhe të reja.
Gjithashtu myftinia Elbasan bashkë me Qendrën e Formimit Rinor mundohet të angazhojë të rinjtë dhe të rejat e qytetit sepse siç dihet “problemi online” është një nga mjetet kryesore me anë të së cilët rekrutohen luftëtarët e huaj.
Kjo qendër bashkë me stafin ka vënë në dispozicion të të rinjve bibliotekën, duke munduar që të rinjtë të afrohen sa më shumë me mënyra të tjera komunikimi, gjithashtu të marrin pjesë në aktiviteti të ndryshme, ku përfshihen edhe aktivitetit sportive.
Qendra Korrektim dhe Rehabilitim Njerëzor (KRNJ) është një qendër e cila jep mbështetje shpirtërore dhe literaturë fetare për besimtarët të cilët ndodhen në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Kjo qendër zhvillon aktivitete të përjavshme me karakter fetar.
Myftinia Elbasan gjithashtu ka kontribuar me disa investime ne qytet.
Fillimisht përmendim azilin e pleqve në qytet, qendra e autizmit dhe qendra të tjera sociale të cilat i shërbejnë komunitetit me qëllim që besimtarët të integrohen në pjesën tjetër të shoqërisë.
Hapja dhe integrimi brenda vetes dhe komunitetit është çelësi më i mirë që mund ta luftojë ekstremizmin dhe të parandalojë infektimin e të rejave dhe të rinjve tanë.
Të nderuar pjesëmarrës, ekstremizmi i dhunshëm si një fenomen i ri për Shqipërinë ka nevojë për projekte konkrete për parandalimin e tij dhe s’mund të rri pa falënderuar institutet të cilat kanë qasje pozitive me studime racionale për të vënë dritë mbi këtë fenomen, si dhe miqtë e përhershëm, dashamirës të Shqipërisë, të cilët asistojnë dhe nxisin diskutimin brenda bashkësisë.