QBNF organizoi vizitë Kortezie në Vatikan dhe Romë

LAJMET TV SKAMPA – VIZITA QBNF – VATICAN
11 Maj, 2022
REPORTAZH I VIZITES NE VATIKAN
13 Maj, 2022

QBNF organizoi vizitë Kortezie në Vatikan dhe Romë

Komunikatë për Shtyp
QBNF organizoi vizitë Kortezie në Vatikan dhe Romë
Me nismën e Drejtorit Ekzekutiv të QBNF, Z. Sokol Lulgjuraj dhe me mbështetjen e Nuncit Apostolik në Tiranë Monsinjor Luigi Bonazzi si edhe të Don Dorian Mjeshtrit, Kryesia dhe drejtuesit e departamenteve të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar zhvilluan një vizitë historike në Vatikan ku patën nderin e madh të merrnin pjese në Audiencën Papale të datës 11 Maj 2022 duke kryer një takim përshëndetës me Papa Franceskun, ku për disa minuta shkëmbyen përulësisht dhe plot nderim përqafimet, urimet, dhuratat dhe bashkëbiseduan shkurtimisht në Altarin e Sheshit Shën Pjetri duke marrë edhe urimet e Atit të Shenjtë për kontributin e dhënë për vëllazërimin ndërfetar.
Në këtë ceremoni morën pjesë të gjithë anëtarët e Delegacionit të përbërë nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare të Elbasanit, anëtarët e Komitetit Ndërfetar, të nderuarit; Myfti Agim Duka dhe Dr. Arben Ramkaj nga Komuniteti Mysliman; Don Giusepe Testa, Don Dorian Mjeshtri dhe Z. Sokol Lulgjuraj nga Komuniteti Katolik; At Stavri Çipi nga Komuniteti Ortodoks; Haxhi Baba Ardit Selmani nga Komuniteti Bektashi, Pastor Ilir Isaraj dhe Pastor Ilirian Gjoni nga Vëllazëria Ungjillore; si edhe Zj.Rudina Çollaku – përgjegjëse e Departamentit të Gruas; Zj.Gentiana Lulgjuraj – Përgjegjëse e Departamentit të Edukimit; Z.Lirim Abazi – Përgjegjës i Departamentit të Medias pranë QBNF. Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni ishte hulumtuesi i marrdhënieve ndërfetare Z.Benjamin Brazzel, praktikant pranë QBNF.
Për mëse 10 minuta, Dërgata jonë mori vemendjen e mijëra të pranishmëve që kishin ardhur nga të katër anët e botës në Sheshin Shën Pjetri, në këtë Audiencë të parë në Shesh pas ndërprerjes kovidiane.
Pas fjalimit të Papës dhe kumteve në 7 gjuhë të botës, Delegacioni ynë ftohet në Altar e ku të gjithë përshëndeten me Papën dhe Don Doriani bën një prezantim të shkurtër të rrugëtimit 20-vjeçar të Qendrës sonë ndërkohë që Kryetari i QBNF Dr.Arben Ramkaj dhe Zv/kryetari i QBNF Don Giuseppe Testa i dhuruan Xhamadanin e Elbasanit, si simboli të trevës sonë, me mbishkrimin në shpinë “Papa Françesku – Papa i Vëllazërisë”. Më pas Z.Sokol Lulgjuraj i dhuroi Emblemën e gurtë të QBNF duke i shpjeguar simbolikën e saj, çka mori vleresimin e Shenjtërisë së Tij që i pëlqeu shumë dhuratat dhe u shpreh i ngazëllyer e plot inkurajim për ne; “Duarbashkuar! Bravo! Kështu vazhoni gjithmonë!”
Më tej ndahemi me Papën teksa shoqërohemi me nderime dhe duartrokitje nga të pranishmit.
Agenda e QBNF vazhdoi më tej me takimin o organizuar nga Etërit Orioninë me Ministrin e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qeverisë së Italisë Z. Giancarlo Giorgetti të cilin e njohëm me veprimtarinë e Qendrës sonë ku theksin e vumë te vlerat e bashkëpunimit ndërfetar dhe promovimin e paqes në rajon e më gjerë.
Pas hapjes së takimit nga Don Doriani, Doktor Ramkaj e falenderoi Ministrin dhe theksoi rolin pozitiv të Qendrës sonë përsa i përket harmonisë dhe paqes dhe se si të përhapim këtë përvojë.
Ndërsa Zoti Lulgjuraj, pasi i shprehu emocionet e përjetuara në takimin me Papa Françeskun e falenderoi Zotin Giorgeti, si besimtar Katolik që është, dhe më tej e njohu me veprimtarinë e QBNF dhe ndikimin pozitv të saj si te të rinjtë, familjet dhe në tërë komunitetet tona të cilët direkt ose indirekt kanë qenë pjesë e veprimtarive dhe projekteve të QBNF.
Nga ana e tij Ministri shprehu vlerësimin e veçantë për këtë takim dhe interesimin për të kontribuar së bashku në këtë drejtim.
E nesermja nisi me takimin me Sekretarin e përgjithshëm të Dikasterit të Dialogut Ndërfetar në Vatikan me Monsinjor Induinil J. Kodithuwakku. K. dhe me sekretarin e Cardinalit të këtij Dikasterit Don Laurent Basanese me të cilët për mëse një orë diskutuam mbi shkëmbimin e përvojave tona në këtë dialog ndërfetar duke zhvilluar aktivitete të përbashkëta dhe forcimin e rolit të departamenteve të QBNF duke marrë pjesë në trainime të ndryshme që zhvillon ky dikaster.
Më pas kryem një vizitë të shkurtër në ambientet e Ambasadës së RSH-së pranë Selisë së Shenjtë, ku u pritëm ngrohtësisht dhe zhvilluam një bisedë të frutshme me të Ngarkuarën me Punë Majlinda Dodaj, e cila na njohu me veprimtaritë e shumta që zhvillon kjo ambasadë si edhe në paraqitëm disa nga veprimtaritë tona. Gjithashtu folëm dhe diskutuam se si të bashkndajmë në vendin tonë Dokumentin e Vëllazërisë Njerëzore.
Së fundi vizita jonë u përmbyll në Qendrën e Etërve Orioninë me të cilët bashkëndamë jo vetëm mendimet dhe përshpirtërinë tonë por edhe një darke vëllazërore që do ta mbajmë mend gjatë por me premtimin se do të shtojmë urat e bashkëpunimit në shumë drejtime si në rrafshin e bamirësisë ashtu dhe në ate të rritjes së nivelit kulturor e akademik.
Me këtë rast, Komiteti Nderfetar i QBNF falenderon Kishën Katolike Shen Piu X, zotin Sokol Lulgjuraj dhe Nuncin Apostolik Mon Luigi Bonazzi për organizimin e këtij takimi të rendesishem e historik me Papa Franceskun në kuadër të promovimit të “Dokumentit të Vëllazërisë Njerëzore” që u nënshkrua nga Papa Francesku dhe Imami Ahmed Tajib, Myftiu i Madh i Egjiptit në Abu Dhabi, në Shkurt të vitit 2019.
Elbasan 14 Maj 2022
Mund të jetë një imazh i 8 persona